EKSPERTËT PARALAJMËROJNË SE ADRIATIKU PO BËHET KONTEJNER I MBETURINAVE TË RREZIKSHME: Peshk gjithnjë e më pak, plastikë gjithnjë e më shumë

Nov 15, 2020

Shtatë në dhjetë peshq nga Deti Adriatik kanë plastikë brenda vetes! Pikërisht për këtë arsye, Adriatiku u shpallë njëri nga tre detet më të ndotura në Evropë që mund të ketë pasoja afatgjate në ekonominë e gjashtë vendeve që kanë dalje në të. Ndotja me këtë material është rreziku më i madh që i kanoset biodiversitetit në planet, pas ndryshimeve klimatike.

Peshkatari nga Ulqini Ivo Knezheviq thotë se shpesh shtanget nga sasia e mbeturinave të cilat i sheh në detin e hapur, disa kilometra nga grykëderdhja e lumit Buna.

“Përpara ishim dëshmitarë të llojeve të ndryshme të mbeturinave pas erërave të forta jugore. Mirëpo, s’ndodh më kështu. Plastikë ka kudo”, theksoi ai.

Situata përkeqësohet me reshjet e para vjeshtore kur ringjallen rrëketë dhe përrenjtë dhe në det sjellin mbeturinat e hedhura në shtretërit e shteruar. Kur qesja nga supermarketi, ose shishja e plastikës s’hidhet në kontejner, fillojnë hallet për ato që jetojnë në det dhe prej tij.

“Qesen e plastikës të cilën se gjuajtëm siç duhet, në fund e hamë. Me fjalë tjera, po e mbysim veten”, pohoi Knezheviq gjatë bisedës për Qendrën për Gazetarinë Hulumtuese, BIRN-in dhe Monitorin (CIN-CG/BIRN/Monitor).

Edhe zhytësit e Ulqinit pohojnë se fundi i detit gjithnjë e më pak dallon nga deponitë e mbeturinave në tokë.

“Pothuajse s’ekziston më asnjë vend në nëndetin tonë në të cilën u zhyta, e ku s’gjeta mbeturina të hedhura. Bëhet fjalë për grumbuj shishesh plastike, kënaqe, karrige, madje edhe disqe të kamionëve”, tha zhytësi i njohur nga Ulqini Adi Karamanaga për CIN-CG/BIRN/Monitor.

Ai është i bindur se kërcënimi nga plastika rritet çdo ditë e më shumë, gjersa fondi i peshkut zvogëlohet dita ditës.

“Mendoj se s’ekziston më asnjë organizëm në det i cili s’është prekur nga plastika. E gjitha kjo e prish në mënyrë të rrezikshme renomenë tonë të një destinacioni të mrekullueshëm turistik dhe të detit tonë si burim i prodhimeve cilësore të peshkatarisë, duke na rrezikuar neve dhe komunitetet tona vendore të cilët jetësisht varemi nga deti”, shtoi Karamanaga.

Mbeturinat vendore dhe të huaja

Pikërisht për shkak të sasisë së plastikës në të, skuadra ndërkombëtare e ekspertëve në studimin e botuar në revistën Marine Pollution Bulletin e shpalli Adriatikun si njërin nga tre detet më të ndotura në Evropë (pas pjesës verilindore të Mesdheut dhe Detit Keltik). Mbeturinat vijnë nga rreth katër milion njerëz që jetojnë pranë brigjeve të Adriatikut, e ky numër rritet pothuajse gjashtë herë gjatë sezonit turistik.

Më së shumti mbeturina që përfundojnë në Mesdhe për kokë banori vijnë nga Mali i Zi! Madje tetë kilogram në vit, tregojnë të dhënat e Unionit Ndërkombëtarë për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Aktivistja ekologjike Azra Vukoviq thotë se 80-90 për qind e mbeturinave në Adriatik përbëhen nga plastika.

“Koha e shfrytëzimit të plastikës njëpërdorimshme është 20 minuta, ndërsa për shpërbërje nevojitet shumë më tepër kohë, nëse kjo ndodh ndonjëherë. Para së gjithash, flasim për qeset, gotat, shishet, fundçet e cigareve, rrjetet dhe mjetet e peshkatarëve që në mënyra të ndryshme mbërrijnë në ujë, duke i krijuar probleme të mëdha organizmave që jetojnë në det, por edhe atyre në tokë”, tha Vukoviq për CIN-CG/BIRN/Monitor.

Nëse shohim ambalazhet, shumica e mbeturinave vijnë nga Shqipëria, përmes Bunës. Ka shumë mbeturina vendase, sepse Buna buron në Liqenin e Shkodrës, i cili në pjesën më të madhe i takon Malit të Zi. Çdo banor i Malit të Zi, sipas të dhënave të organizatës Zero Waste Montenegro, mesatarisht shfrytëzon dhe gjuan mbi 600 qese plastike të cilët nuk riciklohen dhe përfundojnë në natyrë ose në deponi.

“Vetëm në prapatokën e Plazhit të Madh, përjashto Adën e Bunës, u hartëzuan 22 deponi ilegale në të cilët përveç mbeturinave ndërtimore dhe inerte, gjendet edhe plastika. Kjo rrezikon të shkaktojë dëme të përhershme zhvillimit të turizmit në rivierën e Ulqinit”, thotë Vukoviq.

Edhe pse deti është resurs shumë i vlefshëm, Mali i Zi nuk e ka modelin e përpunuar për përcjelljen dhe përkujdesjen e mbeturinave në det. Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Malin e Zi, administrimi i mbeturinave u vlerësua si fushë ku s’u arrit progresi.

Ministri i zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit Pavle Raduloviq, i cili ndërkohë dha dorëheqje dhe u largua nga Qeveria për shkak të skandalit të korrupsionit në inspektoratin e tij, në mënyrë buçitëse paralajmëroi ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës. Mirëpo, nga kjo ministri vetëm në vitin e ardhshëm u paralajmërua hartimin i planit të ri shtetëror për administrimin e mbeturinave deri në vitin 2026. Nga fillimi i këtij viti paralajmërohet miratimi i Ligjit të ri për Administrimin e Mbeturinave. Ky duhet të jetë obligim i qeverisë dhe i Kuvendit të ri, njëjtë siç Parlamenti i Kroacisë, për shembull, vitin e kaluar miratoi një sërë përfundimesh për mikroplastikën në ambient.

Në kuadër të Kapitullit 27, Mali i Zi u zotua të ricikloi 50 për qind të mbetjeve nga plastika, letra, metali dhe xhami. Shteti planifikon të sigurojë riciklimin e të paktën 70 për qind të mbeturinave të parrezikshme ndërtimore, në mënyrë që të plotësojnë kriteret përfundimtare të kapitullit më kërkues evropianë. Kështu shkruan në Draftin e planit të veprimit për plotësimin e kritereve përfundimtare në Kapitullin 27 – mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike, i cili deri në fund të gushtit ishte në shqyrtim publik. Këto kushte Mali i Zi duhet t’i plotësojë deri më 31 dhjetor 2030.

“Vitet e fundit është gjithnjë e më e pranishme ndotja nga mbetjet e plastikës, gjë që shkakton një presion shtesë në ekosistemin e detit”, është konstatuar në Raportin e fundit vjetor të Agjencisë për Mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit Jetësor në Malin e Zi për vitin 2018. Së bashku me Ministrinë e lartpërmendur, Ndërmarrjen Publike për Administrimin e të Mirave Detare, vetëqeverisjet vendore bregdetare dhe Drejtorinë për Punë Inspektuese, Agjencia është më përgjegjësja për gjendjen momentale në detin dhe pranëdetin malazez.

Deponitë në fund të detit

Hulumtimi i shkencëtarëve nga shtetet që dalin në Detin Adriatik dhe Jon (Sllovenisë, Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Greqisë), në kuadër të projektit WELCOME („WatEr LandsCapes sustainability through reuse of Marine litter”), i cili financohet nga fondet e Bashkimit Evropian (BE), tregoi se në Adriatik, për kilometër katror, ka mesatarisht 670 copa plastike, që konsiderohet si dendësi relativisht e lartë e mbetjeve.

Madje 90 për qind e sendeve nga mbeturinat janë të bëra nga materialet artificiale. Analiza e një tonelate mbeturinash në plazhe dhe në det tregoi se pak mbi gjysma janë plastikë, 30 për qind dru, 10 për qind metale, ndërsa gjashtë për qind tekstil.

“Mbeturinat në det janë një nga rreziqet më të mëdha ndaj ekosistemit detar të Mesdheut me ndikim mjedisor, ekonomik, të sigurisë, shëndetësor dhe kulturor”, tha për CIN-CG/BIRN/Monitor këshilltari i lartë shkencor në Institutin për Biologjinë e Detit në Kotorr Dr. Milica Mandiq.

Duke rikujtuar që Deti Adriatik është një basen gjysmë i mbyllur me rryma të dobëta detare dhe qëndrim të gjatë të masave ujore, gjë që e bënë më të prekshëm dhe shumë të ndjeshëm nga ndotjet këmbëngulëse, ajo thekson se në veçanti është e kanosur zona mjaft specifike dhe pjesërisht e mbrojtur e Bokës së Kotorrit.

“Fajtorët më të mëdhenj për çdo gjë që gjendet në këtë gji janë banorët vendas, turistët dhe, pjesërisht, administrimi joadekuat i mbeturinave në tokë. Rreth 80 për qind e mbeturinave të cilat gjenden nën sipërfaqen e detit në Bokë janë me prejardhje nga toka. Vlerësohet se në pjesën e gjirit ka nga 160 deri në 250 kilogram mbeturina për kilometër katror, ndërsa në zonën e detit të hapur të bregdetit malazez nga 40 deri në 80 kilogram”, thotë Mandiq.

Ajo pohon se mbeturinat në plazhe janë në të vërtet vetëm “maja e iceberg-ut” në raport me sasinë e cila gjendet nën sipërfaqen e detit.

Eksperti i Institutit për Oqeanografi dhe Peshkatari nga Spliti Dr. Pero Tutman tha për CIN-CG/BIRN/Monitor se rreth 70 për qind e mbeturinave të cilat nga bregu mbërrijnë në det, përfundojnë në fund të detit dhe aty grumbullohen me vite jashtë fushëprekjes së njeriut.

“Këto sasi rriten në nivele vjetore dhe s’janë të papërfillshme edhe pse ne s’i dimë. Ndikimi në organizmat e detit në masën më të madhe reflektohet përmes ngatërrimit (p.sh. mjetet e humbura të peshkimit, qeset e plastikës, etj.), si dhe me përpirje dhe futje në sistemin tretës. Në veçanti janë të ekspozuar organizmat më të mëdha detar, siç janë gjitarët (fokat, delfinët, balenat) dhe breshkat, si dhe shpendët detar”, theksoi Dr. Tutman.

Sa më e vogël plastika, aq më të mëdhenj problemet

Plastika në det praktikisht nuk zhduket asnjëherë: vetëm shpërbëhet në copëza më të vogla dhe hynë në të gjitha poret e mjedisit jetësor. Mikroplastika (grimcat e plastikës më të vogla se pesë milimetër) u gjet në të gjitha llojet e organizmave detare. Problemi me mikroplastikën është edhe ai se në te mund të absorbohen sasi të mëdha të metaleve të rënda, viruset dhe bakteret.

Ky problem i Adriatikut për herë të parë u vu në dukje në projektin DeFishGear kur u vërtetua se në lukthin e shtatë nga 10 peshq në detin tonë ekzistojnë copëzat e mikroplastikës! Pra, gjatë ngrënies së specialiteteve të Adriatikut ne edhe vet e konsumojmë plastikën.

Hulumtimet kanë treguar se grimcat e plastikës janë të pranishme në zemër dhe në trurin e njeriut dhe paraqesin rrezik për shfaqjen e kancerit të trurit, ndërsa ekspozimi i kafshëve ndaj plastikës mund të shkaktojë kallje, shterpësi dhe kancer.

Edhe në Institutin e Kotorrit kanë bërë hulumtimin i cili u bazua mbi analizat e përmbajtjes së lukthit tek pesë llojet e ndryshme të peshkut, e që kanë rëndësi komerciale: sardelja, skumbri atlantik, skumbri japonez, barbuni dhe shojza.

“U tregua se grimcat e makroplastikës, me madhësi mbi 5 milimetër, gjendet në të gjitha llojet e përmendura, në sasi të vogla ose të mëdha. Nga gjithsej 235 peshq të analizuar, makroplastika u gjet tek çdo i katërti”, tha Dr. Mandiq.

Qeset janë “delikatesë” për breshkat e detit

Një nga llojet më të rrezikuara në Adriatik janë breshkat e detit. Hulumtimi i publikuar pak kohë më parë në revistën Current Biology tregoi se aroma e qeseve të plastikës i ngjanë breshkave si delikatesë i shijshëm për shkak të baktereve dhe algave të cilat akumulohen në te. Shkencëtarët ia ofruan breshkave të detit disa lloje të aromave. Breshkat pothuajse në mënyrë identike reaguan ndaj aromës së ushqimit dhe të qesës së najllonit, e cila paraprakisht ishte zhytur nën ujë, thuhet në këtë revistë.

„Hulumtimet e bëra deri në vitin 2011 kanë treguar se nga 54 breshkat e ngordhura të cilat u gjeten, tek 35 për qind prej tyre u zbuluan mbeturinat në organet e tretjes. Sa më shumë të ketë mbeturina të tilla, aq më shumë breshkat e detit do të jenë të rrezikuara“, tha Dr. Tutman.

Një nga llojet më të rrezikuara dhe më të mëdha të breshkave të detit në botë, e cila rrallherë hynë në Detin Adriatik, breshka lëkurore e detit (Dermochelys coriacea), u ngatërrua para disa vitesh në rrjetin e peshkatarëve pranë Valdanosit, por e shpëtoi zyrtari i patrullës të Komunës së Ulqinit Hajrudin – Dino Shata.

Përndryshe, breshkat në det kryejnë, të ashtuquajturin, bioturbacionin, duke shkaktuar përzierjen e sedimentit dhe qarkullimin e lëndëve ushqyese, duke e ruajtur kështu stabilitetin e ekosistemit të përbërë të detit.

Kaosi nga plastika në plazhe

Në Ndërmarrjen Publike për Administrimin e të Mirave Detare, e cila shpesh organizon aksionet e pastrimit të plazheve, thanë për CIN-CG/BIRN/Monitor se, sipas analizave të kryera, ambalazhet plastike janë mbeturina dominuese.

„Në të gjitha plazhet rezultoi se mbetjet plastike paraqesin problemin më të madh, me pjesëmarrje mbi 60 për qind, si në numër ashtu edhe në peshë. Nga numri i përgjithshëm i copëve të mbeturinave të grumbulluara, pjesa më e madhe janë fundçet dhe filterat e cigareve. Pastaj vijnë copat e plastikës me madhësi prej 2,5 deri në 50 cm, ambalazhet plastike, foliet, pjesë të ambalazheve të ëmbëlsirave dhe ushqimit, si dhe tapat dhe kapakët e plastikës“, tha Dr. Mandiq.

Nga „Të Mirat Detare“ deklaruan se Qeveria malazeze po përgatitë Programin e monitorimit, i cili përfshinë edhe mbeturinat në det, „e të gjitha me qëllimin e përcaktimit të mirë të gjendjes së mjedisit jetësor të Detit Adriatik“.

„Rregullat e reja ligjore duhet të sjellin dhe ta përmirësojnë konsiderueshëm efikasitetin më të mirë të ndërmarrjeve vendore të cilat janë kompetente për grumbullimin dhe deponimin e mbetjeve, por edhe zhvillimin e mekanizmave në Mal të Zi për reciklimin e mbetjeve plastike, prej xhamit, metalit dhe ambalazhe të tjera, si dhe mekanizmat për kontrollin dhe zvogëlimin e mbetjeve në prodhimtari siç është ndalimi i prodhimeve njëpërdorimshme prej plastikës. Të gjitha këto do të kontribuojnë për zvogëlimin e mbeturinave në plazhe dhe në hapësirat tjera publike“, tha për CIN-CG/BIRN/Monitor Milan Zhivkoviq nga Ndërmarrja Publike për Administrimin e të Mirave Detare.

Mirëpo, Dr. Mandiq konsideron se situata është mjaft brengosëse “veçanërisht duke pas parasysh faktin se nuk punohet shumë për zgjidhjen konkrete të problemit, se s’ka rregulla ligjore të cilat trajtojnë çështjen e mbetjeve në det, por edhe se nuk ka mjaftueshëm fonde kombëtare për hulumtimet fondamentale shkencore të cilat do ta trajtonin problematikën e ndikimit të akumulimit dhe transferimit të mbetjeve në shëndetin e organizmave detare, e si pasojë edhe të njerëzve”.

Meqë mbeturinat në det i tejkalojnë kufijtë nacional dhe se, në varësi nga rrymat, erërat, etj., mund të kalojnë distanca të konsiderueshme në kohë të shkurtër, Dr. Tutman thotë se për këtë problem dhe zgjidhjen e tij duhet të flitet dhe punohet në koordinim me vendet tjera “me të cilët ndajmë Adriatikun”.

Ministrat e mbrojtjes së mjedisit jetësor të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë në fillim të vitit 2018 në Dubrovnik arritën marrëveshjen që “të konkretizojnë bashkëpunimin dhe të shfrytëzojnë fondet e disponueshme evropiane me qëllimin e zgjidhjes së problemit të mbeturinave detare në Detin Adriatik”.

Por, në dy vitet e kaluara pak gjëra konkrete janë bërë, njëjtë siç munguan rezultatet edhe në kuadër të marrëveshjeve dhe iniciativave të përbashkëta siç ishin Komisioni i Përzier për Mbrojtjen e Ujërave të Detit Adriatik dhe të Zonës Bregdetare, Trilateralja e Adriatikut dhe Strategjia e BE-së për Rajonin Adriatik – Jon.

CZIP: Të ndalohet përdorimi i qeseve

“Mbeturinat dhe plastika s’i prekin veç njerëzit dhe nuk janë vetëm çështje e prishjes vizuale të natyrës. Mjaft shpesh shpendët i ushqejnë zogjtë e vet me mikroplastikë ndaj së cilës nuk janë imun as gjitarët e detit”, thuhet në proklamimin e Qendrës për Mbrojtjen dhe Hulumtimin e Shpendëve (CZIP) nga Podgorica, aktivistët e të cilës ftuan qytetarët që të nënshkruajnë peticionin për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës dhe ballafaqimin përfundimtar sistematik me mbeturinat. Deri tani kanë grumbulluar 6.439 nënshkrime.

Shoqata “Martin Scheider Jacoby Association” gjatë këtij viti ka organizuar një sërë aksionesh të pastrimit të plazheve të Ulqinit, Kripores dhe Pyllit të Pishave.

“Vullnetarët tanë hasën në deponi të vërteta të mbetjeve plastike. Ne e prisnim situatën e keqe, por jo edhe se do të ketë aq shtresa të depozituara mbeturinave plastike, mbi të cilat shiu solli dheun, kështu që pothuajse këmbët na u zhyteshin në plastikë gjersa pastronim”, tha kryetarja e kësaj shoqate Zenepa Lika.

Duke u nisur nga fakti se rezultatet më të mira arrihen përmes edukimit, “Rotary klubi Ulqin” pak kohë më parë e realizoi projektin “Zero Waste Promotion”.

Anëtari i kësaj organizate Boris Margjonoviq tha për CIN-CG/BIRN/Monitor se realizimi i këtij projekti u përkrah financiarisht nga një grup turistësh nga Norvegjia të cilët vitin e kaluar për herë të parë ishin në rivierën e Ulqinit dhe ishin të mahnitur me bukuritë e qytetit.

“Por kur panë sasitë e plastikës vendosen që përmes “Rotarit” të iniciojnë projektin duke insistuar që aty, para së gjithëve, të përfshihen fëmijët e moshës parashkollore. Zgjidhja e kësaj çështje është tregues i zhvillimit tonë civilizues”, është i bindur Margjonoviq.

Çdo javë e hamë nga një kartë krediti

Në nivel global, prej vitit 1900 u prodhuan rreth tetë miliard tonë plastikë. Gjysma e kësaj sasie u prodhua në 13 vitet e fundit. Nga Kuvendi për Ekologji i Kombeve të Bashkuara, të mbajtur vitin e kaluar në Najrobi, u dërgua paralajmërimi alarmues – detet dhe oqeanet e botës janë në “krizën plastike”.

“Deri në mesin e këtij shekull 99 për qind e shpendëve të detit do të helmohen nga plastika, e që tani për shkak të saj ngordhin më shumë se një milion në vit”, thotë Peter Malvik, përfaqësues i Programit të OKB-së për Ambientin.

Nga ky institucion thanë se në javë hamë sasinë e plastikës të një karte të kreditit, gjersa nga Fondacioni “Ellen MacArthur” u paralajmërua se deri në vitin 2050 në det do të ketë më shumë plastikë sesa peshk.

Komisioni Evropian në janar të vitit 2018 solli Strategjinë Evropiane për Plastikën në Ekonominë Qarkulluese. Në qershor të vitit të kaluar u miratua direktiva me të cilën përcaktohen rregullat e reja për zvogëlimin dhe kufizimin e prodhimeve njëpërdorimshme nga plastika, mjeteve për ngrënie, pipave, pastruese për vesh dhe të ngjashme. Shtetet anëtare janë të obliguara që këto rregulla t’i përfshijnë në legjislacionet kombëtare deri në vitin 2021. Përveç parandalimit dhe zvogëlimit të ndikimit të prodhimeve njëpërdorimshme nga plastika, synimi është që në mënyrë të qëndrueshme të kalohet në prodhimet dhe materialet tjera.

Mustafa CANKA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *